
Ka dështuar sërish vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kjo është hera e 12’të që deputetët e zgjedhur mblidhen në sallën e Kuvendit pasi procesi i konstituimit ka ngecur te pika e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Me vetëm 56 vota pro, sërish ka dështuar përpjekja që të formohet një komision zgjedhor për votim të fshehtë për kryeparlamentar të Kuvendit.
Si rrjedhojë, pas vetëm 4 minutash seancë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet dhe Kuvendi do të mblidhet sërish pas dy ditësh në përpjekjen e 13-të për konstituim.
VV po insiston që votimi për Albulena Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që po kundërshtohet nga partitë tjera duke thënë se nuk është kushtetuese.
Të hënën, kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës i ka ftuar në koalicion qeverisës.
Pas kësaj letre, të martën është mbledhur kryesia e LDK-së, gjersa kryetari i kësaj partie ka mbajtur edhe një konferencë për media.
Abdixhiku në këtë konferencë ka propozuar një qeveri tranzicionale, duke refuzuar kështu koalicion qeverisës vetëm me LVV.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces, nuk ka marrë votat e mjaftueshme.



