Pas përfundimit të mandatit si President i Republikës dhe kalimin e detyrës te Ilir Meta, Këshilli i Ministrave ka vendosur që ish-Presidentit t’i japë një zyrë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili gjatë një interviste në “Top Story” ka thënë se është vendosur një standard që shërbimet qeveritare u ofrojnë një shërbim minimal ish-presidentëve të republikës.
“Ata kanë një godinë pranë ish-Zërit të Popullit dhe prej kohësh këtë shërbim minimal që shteti u ofron, qoftë Alfred Moisiut dhe Rexhep Mejdanit e kanë. Këtë ia kemi ofruar edhe ish-Presidentit Nishani”, është shprehur Rama.
Vendim
PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT (AKKSHI), TE DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE, TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, APARTAMENTET NR.15, NR.16, NR.17, NR.18, TË NDODHURA NË GODINËN NR.57, NË BULEVARDIN “ZOGU I”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 901 e vijues të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1.Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), te Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, të pronës së paluajtshme shtetërore, apartamentet nr.15, nr.16, nr.17, nr.18, të ndodhura në godinën nr.57, në bulevardin “Zogu I”, Tiranë, sipas planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, për t’ua dhënë në përdorim dhe pa shpërblim, si mjedise pune, ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të DSHQ-së, miratuar me vendimin nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.



