Avokati Redon Meksi e konsideroi një “grusht shteti” atë që po bën mazhoranca në Kuvend lidhur me skandalin “McGonigal”.
Duke folur në MCN Live Meksi tha se kryeministri Rama ka marrë fuqinë e mbretit, duke mos lejuar asnjë lloj institucioni që të dalë mbi të.
Kemi të bëjmë pak a shumë me grusht shteti. Kemi një Parlament që shkel kushtetutën me këmbë. Del z.Balla dhe thotë s’e pranoj një komision hetimor. Nuk e ka të drejtë z.Balla. kemi një ligj për ngritjen e komisioneve hetimore, nuk është në dorën e Parlamentit për të vendosur. Nga ana tjetër kemi znj. Nikolla që del edhe thotë ne kemi një draft për ligjin për komisionet hetimore dhe sa të bëhet ky ligj s’do pranojmë komisione hetimore. Është absurdit. Ky është grusht shteti, jo i mirëfilltë sepse ka ende gjëra pa kapur. Kemi një kryeministër me fuqinë e mbretit që ka marrë të gjitha pushtetet dhe s’lejon askënd dhe asnjë lloj institucioni që të dalë mbi të”.
Po ashtu Meksi e konsideroi si absurde faktin që gjyqtari Agron Zhukri po pengon regjistrimin e partisë Lëvizja Bashkë në zgjedhje, duke vendosur seancën më 7 mars, ndonëse data e regjistrimit është 6 marsi. Meksi thotë se ai është kundër politikave të Lëvizjes Bashkë që janë tejmase të majta, por vë në dukje se këtij grupimi i duhet dhënë mundësia për t’u futur në zgjedhje.



