Analisti Ëngjëll Musai në ‘MCN Live’ ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike, duke u ndalur te raportet brenda Partisë Socialiste.
Sipas tij, debatet e fundit sinjalizojnë përçarje të mundshme që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbështetjen popullore për kryeministrin Edi Rama.
Musai u shpreh se brenda PS-së ekzistojnë disa grupe që mund të dobësojnë pozitat e Ramës, ndërsa e cilësoi zhgënjyese çdo perceptim për bashkëpunim mes tij dhe opozitës.
Në Partinë Socialiste ka shumë grupe që mund t’i prishin punë mbështetjes popullore të Ramës. Është zhgënjyese ideja e një bashkëpunimi Rama-Berisha. Rama ka një përgjegjësi që nga viti 2013 dhe duhet të sqarojë nëse jemi për bashkëqeverisje, duke pranuar se ka të drejtë Spiropali, apo nëse nuk pranon zëra kundër dhe vijon me të njëjtën qasje.
Ai kritikoi gjithashtu sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar procesin e vettingut si selektiv dhe të ndikuar politikisht.
Kjo ndodh sepse këtu nuk ka drejtësi funksionale. Vetingu ka qenë tërësisht selektiv dhe njerëzit janë kaluar në bazë të bindjeve politike.
Duke u ndalur te kritikat e brendshme në PS, Musai theksoi se përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm individëve të caktuar, por edhe mënyrës se si janë menaxhuar fondet publike dhe administrata.
Nuk është vetëm faji i Spiropalit, por edhe i atyre që kanë abuzuar me fondet. Janë shpenzuar miliarda euro për sisteme që nuk kanë dhënë rezultat, ndërkohë që është rritur numri i të punësuarve në administratë. Do të ketë edhe zëra të tjerë kundër, të rinj dhe të vjetër, dhe kjo do të sjellë një krisje.
Sa i përket situatës në Partinë Demokratike, Musai e përshkroi garën për drejtimin e saj si të pabarabartë, duke theksuar se proceset nuk janë të hapura dhe transparente.
Në Partinë Demokratike luhet pa porta: topin e kam unë dhe penalltinë e gjuaj vetë. Ky është realiteti. Berisha është zgjedhur jo sot, por praktikisht për sa kohë të jetojë do të jetë kryetar i PD-së, por në pushtet nuk vjen asnjëherë.



