Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga Berati ish-kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për një koment të bërë sot në një takim elektoral. Në fjalën e tij, Meta i krahasoi kreu e opozitës dhe kreun e mazhorancës me dy kartona të njohur, “Tomi dhe Xherri”. Pas kësaj, Meta tha se kur nuk i është frikësuar Berishës, nuk i frikësohet as Ramës e as Bashës.
Në një intervistë për “Top Story”, kryeministri tha se i mirëkupton qëndrimet e politikanëve të tjerë, dhe batutat janë të pranueshme. Por shton, se një shprehje e tillë nuk i takon Presidentit të zgjedhur.
“Nuk e di sa është një shprehje që i shkon një Presidentit të zgjedhur. Unë e mirëkuptoj dhe nuk kam problem me të. Unë nuk jam nga ata njerëz që kur bëj batuta vet më pëlqen dhe nuk pëlqej ato të të tjerëve, por nuk besoj se i shkon një Presidenti të zgjedhur kjo batutë”, tha Rama.
Sakaq, ai shtoi se po të ishte vetë president i zgjedhur, nuk do të angazhohej në fushatë.
“Ai nuk është akoma president i ngarkuar për të mbrojtur unitetin kombëtar. Është president i zgjedhur. Unë nuk do ta bëja, por është zgjedhja e tij”, tha Rama.



