
Kryeministri Edi Rama ka vijuar fushatën elektorale pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit. Nga ky qytet, Rama u shpreh përballë mbështetësve të tij se i duhet një mandat i tretë, pasi kërkon të bëjë ende më shumë gjëra për Shqipërinë. Kryeministri përmendi bukuritë natyrore të vendit tonë duke thënë se “dora e mbrapshtë e robit e pengoi që të bëhet realitet”.
Edi Rama: Unë nuk dua t’ju flas për çfarë kemi bërë, por përse jam këtu sot. Për çfarë arsye? Unë sot këtu dhe në këtë ndeshje ju kërkoj ju dhe shqiptarëve mbështetjen për një mandat të tretë për PS. Jam këtu sepse jam i pakënaqur. Jam këtu sepse të gjitha gjërat që kemi bërë nuk janë të gjitha ato që ne mund, duhet dhe do të bëhen për Shqipërinë.
Jam këtu sepse kemi një luftë të madhe për të fituar, kundër pasojave të tërmetit dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga tuneli i pandemisë dhe për të qenë ne Shqipëria e vogël një vend nga më të shpejtët dhe më të fortët në luftën me armikun e padukshëm.
Mbyllni sytë për një moment dhe përfytyroni Shqipërinë, një vend që të ketë të gjitha, dy dete, lumenj, male me dëborë, kodra e fusha të jashtëzakonshme, gjithë ato liqene e si ka mundësi pse nuk jemi ne sot në atë majë. Atë çka Zoti ka imagjinuar për shqiptarët kur e pikturoi sipas dëshirës Shqipërinë, dora e mbrapshtë e robit e pengoi që të bëhet realitet, e pengoi përgjatë historisë duke ndërhyrë gjithmonë në ato momente kur i gjenin shqiptarët të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur, gati gati të dorëzuar dhe u ofroi rrugë të shkurtra dhe nuk e ka asnjë popull tjetër thënien që “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”. Sot ne jemi këtu për të shkuar pas pak ditësh në një provë të madhe të karakterit tonë.
PD nuk e meriton që Elbasani t’ja hedhë sytë pa llogaritur partinë tjetër të profesor doktoreshë infermiere Monika Kryemadhit, se ajo është hataja më e madhe. Në qytetin e Kostandin Kristoforidhit të votosh Monika Kryemadhin do të thotë të ngresh nga varri të gjithë rilindasit e Elbasanit, do të thotë të ofendosh historinë e këtij qyteti dhe të kësaj zone. E imagjino dot Aqif Pashë Elbasanin tu vinte te shtrati dhe ti thoshit a votohet Ilir Meta, një President që e bija i thotë babi mos pi, hajde në shtëpi.
Ne duhet ta ndihmojmë Ilir Metën të kthehet në shtëpi. Nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim trenin e historisë për tu kthyer mbrapa për të vënë në diskutim që mund të votohet për fosilet e historisë.Janë të njëjtët karvane si në ’90 por makinat janë shumë të shtrenjta, me xhama të zi. Por ne kemi patronazhistë, patronazhistët e dinë kush janë në ato makina.Në ato makina janë ata drejtues policie që nxirrnin në pritë oficerët e policisë.
Elbasani i njeh mirë, i ka provuar në kurriz. Në ato makina janë taksidarët dhe këtë e kam për të gjithë dyqanxhinjtë e Elbasanit, ata me PD. Shqipërinë nuk ka më forcë që e hudh dot në prehrin e Saliut dhe Ilir Metës dhe kukullës së tyre, Lulzim Bashës.Rrota e historisë nuk kthehet më mbrapa, PS ka marrë përsipër misionin të shkruajë historinë. Dua ta mbyll me një porosi për të gjithë. Kemi një skuadër fantastike por ne të gjithë, unë i pari jemi 12. Bëni shumë kujdes të gjithë patronazhistët me gjithë ata që ju kërkojnë që ta mësojnë si votohet, ato që i kemi sipër te fleta do ti hudhim zgupthi.Asnjë fletë të pavlefshme, 12.



