Palët politike në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore kanë rënë dakord që reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda muajit maj.
3 kërkesat e opozitës
Përfaqësuesit e opozitës në mbledhjen e Këshillit Politik, Oerd Bykykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkuan mbylljen sa më shpejt të reformës zgjedhore, duke e rinisur atë me propozimet e opozitës të lëna pa përgjigje nga qeveria.
3 janë kërkesat e opozitës:
1. Reforma të mos vonohet më tej, por të mbarojë deri në 31 maj.
2. Në këtë funksion, takimet mes palëve duhet të rikthehen në formatin e tryezës ballë për ballë, jo përmes komunikimit online.
3. Puna e Këshillit Politik të rinisë me çështjet e propozuara nga opozita, në mënyrë që pala tjetër të mbajë një qendrim për të gjitha propozimet e lëna pa përgjigje deri tani.
Hajdari: Me rëndësi produkti konsensual
Deputetja e opozitës brenda Parlamentit u shpreh optimist se nëse takohen dy herë në javë, brenda majit do të kenë një produkt konsensual.
“Nëse vërtet do takohemi dhe do bëjmë një produkt deri në 31 maj atëherë duhet të takohemi minimalisht dy herë në javë. Nëse do bëhet një takim të mërkurën javës që vjen do takohemi dy herë. Mesatarisht i bie të kemi 5 takime brenda majit. Nëse arrijmë këtë si objektiv besoj se do të kemi konsensusin e duhur në lidhje me të gjitha pikat. Do shikojmë si shkon axhenda. Nuk e parashikojmë çfarë do ndodhë. Unë nuk ve data, ajo që ka rëndësi është produkti. Të gjejmë një produkt konsensual me të gjitha palët dhe të jemi të kënaqur për produktin që do arrihet në fund”, tha Hajdari.



