Kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë një vizite në Berlin, zhvilloi një takim me Hans- Gert Pottering, President i Fondacionit Konrad Adenauer. Basha shprehet se ka marrë mbështetje për një ekspertizë gjermane në PD dhe për qeverisjen e ardhshme.
“I shpreha Presidentit Pötering mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Fondacionit KAS për Partinë Demokratike, veçanërisht në mundësimin e ekspertizës gjermane për hartimin e politikave publike të qeverisjes sonë të ardhshme dhe përgatitjen e politikanëve të rinj të PD-së. Ai më siguroi për vazhdimin e kësaj mbështetjeje si pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë midis PD dhe CDU”, theksoi Basha.
Kreu I opozitës deklaroi se diskutoi me Presidentin Pöttering për çështjet kryesore politike që po kalon vendin, si dhe sfidat që duhet të kapërcejmë. “Me përvojën e gjatë politike dhe me njohuritë e jashtëzakonshme të politikës gjermanë dhe europiane, ai më këshilloi për rreziqet që e presin Shqipërinë nëse nuk mban dot zgjedhje të lira dhe nuk e pastron politikën nga kapja prej krimit dhe interesave korruptive”, tha Basha.
Presidenti Pöttering u shpreh se thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës. Politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat europiane.



