Partia Socialiste ka bërë një kërkesë zyrtare lidhur me aplikacionin “Aktiv1sti” për të cilin thotë se është pronë e saj, ku kërkon nga mediat audivizive dhe elektronike që të mos publikojnë të dhënat personale të siguruara nga ndërhyrja e kundraligjshme në aplikacion.
Kërkesa i dërgohet për dijeni edhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Partia Socialiste thotë se e ka denoncuar publikisht dhe ka njoftuar ndjekjen e rrugëve ligjore për ndërhyrjen e paligjshme në infrastrukturën e saj elektronike, konkretisht aplikacionin “Aktiv1st” dhe më tej manipulimet e kryera me qëllim mbi të dhëna të caktuara të marra në shkelje të ligjit.
Në vijim nënvizohet se sikurse është bërë e qartë publikisht, aplikacioni “Aktiv1st” është një mjet komunikimi i Partisë Socialiste i cili mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo individ që ndodhet në Republikën e Shqipërisë dhe se aplikacioni gjendet lehtësisht në Playstore dhe Appstore për të dyja sistemet e operimit celular Android dhe IOS.
Regjistrimi në aplikacion si në çdo aplikacion kërkon disa të dhëna bazike që përshtaten me tipologjinë e aplikacionit. Të dhënat e plotësuara nga përdoruesi, përveç emrit dhe mbiemrit të cilat janë njëkohësisht edhe llogaria e tij në aplikacion, nuk shfaqen tek përdoruesit e tjerë.
Këto të dhëna qëndrojnë në llogarinë e përdoruesit, mund ti shohë vetëm individi i regjistruar dhe nuk shfaqen në asnjë hapësirë tjetër.
Askush, përfshirë edhe vet PS-ja si krijuese e aplikacionit nuk ka autorizim prej përdoruesve që të kryejë publikimin e të dhënave.
Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon nga mediat audiovizive, mediat elektronike dhe të gjitha platformat e portalet online që të refuzojnë në çdo rast publikimin e të dhënave të pjesshme apo të plota qofshin ato, që pretendohet se janë siguruar nga ndërhyrja e kundraligjshme në paltformën elektronike “Aktiv1st”, pronë e P.S.SH si dhe të fshijnë çdo informacion nga përmbajtja e faqeve të tyre të internetit të publikuar deri tani.
Sjellim në vëmendjen tuaj se Kodi Penal i RSH (neni 186/a K.P, 192/b, 239/a, 293/b, 293/c) ka kriminalizuar ndërhyrjet e paautorizuara kompjuterike, përgjimin e të dhënave kompjuterike, ndërhyrjet e paautorizuara në të dhënat kompjuterike etj., dhe çdo posedim i të dhënave të përfituara nga kryerja e veprave penale sjell pasoja sipas ligjit.
Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga ndërhyrja e kundraligjshme nuk mund dhe nuk duhet të publikohen në asnjë rast nga ana e mediave pasi këto të fundit nuk kanë statusin ligjor për një veprim të tillë në bazë të parashikimeve të ligjit Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Neni 6 dhe 7 të ligjit 9887/2008 kërkon domosdoshmërisht marrjen e pëlqimit në mënyrë të qartë nga subjekti i të dhënave personale, në të kundërt publikimi i tyre bie automatikisht në paligjshmëri.
Publikimi i të dhënave të përfituara nga kjo ndërhyrje vjen në kundërshtim edhe me ligjin Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodin Etik të medias shqiptare pasi informacioni në fjalë nuk është tjetër veçse një produkt i veprës penale, dhe cenon rëndë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit.
Partia Socialiste thotë në mbyllje se do të ndjekë në mënyrë rigoroze këtë rast dhe do të procedojë sipas ligjit për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për çdo media e cila do të vazhdojë të kryejë publikimet e këtyre të dhënave në shkelje të ligjit edhe pas kësaj kërkese publike.



