
Në vazhdën e takimeve “Bashkia që duam”, kryeministri Edi Rama u ndal pasditen e sotme në qytetin e Durrësit.
Gjatë një takimi që pati me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, Vangjush Dako, kryeministri përgëzoi punen e bërë gjatë mandateve të tij, por nuk përmëndi emrin e kandidatit të ri për këtë post.
“Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e 30 qershorit, do shikojmë për ato shumë gjëra që duhet të bëjmë. Përpara 4 vitesh ju kemi thënë do zgjidhet problemi i kanalizimeve dhe do jetë drejt zgjidhjes furnizimi me ujë dhe kjo ka ndodhur. Do transformojmë Porto Romanon në një park të ri. Nuk diskutohet se janë një sërë projektesh të mira e kësaj bashkie falë Vangjushit që ka pasur projekte. Kështu që mos dëgjoni jo po do bëhen zgjedhje të parakohshme”, tha ai.
Nga ana tjetër, vizita e shefit të qeverisë u prit me protesta nga simpatizantë të Partisë Demokratike. Rama nuk la pa përmendur protestat e opozitës për të cilat tha se "nuk do na pengojnë aspak në rrugën që kemi nisur".



