
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli ka thërritur sërish në seancë dëgjimore ministrinë punëve të jashtme, Ditmir Bushati.
Seanca do të fokusohet pikërisht në një nga çështjet më të debatueshme së fundmi, atë të negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar dhe çështje të tjera të pazgjidhura.
Dëgjesa vjen pas kërkesës së depozituar nga opozita, e cila ka kërkuar transparencë për bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë pas dy takimeve të mbajtura në Kretë dhe Korçë mes dy ministrave të jashtëm.
Në seancën dëgjimore së bashku me shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati do të jenë edhe Glevin Dervishi, këshilltari i ministrit dhe Armand Skapi, Drejtor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane, që është kryesuesi i listët me 12 anëtarë të negociatave me Greqinë.
Dje ministria e Jashtme ka bërë publike edhe listën me 12 anëtarët e grupit negociatorë ndërsa ka dërguar në presidencë një material voluminoz rreth kërkesave të presidentit Ilir Meta për plotfuqishmërinë e negociatave mes dy vendeve.



