
Dy bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri i PS dhe Enkelejd Alibeaj i PD, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e OSBE-ODIHR në Shqipëri për t’i informuar lidhur me punën e deritanishme të komisionit që është mbledhur online.
Nëpërmjet një postimi, Gjiknuri shkruan se në takim u arrit dakordësimi për modalitetet e punës në fazat e mëtejshme dhe ndihmën që ODIHR do japë në fazën e hartimit të drafteve ligjore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Bashkë me kolegun Alibeaj zhvilluam një takim me drejtuesit e ODIHR-it, të cilët i informuam për ecurinë e deritanishme të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
U dakordësuam për modalitetet e mëtejshme të punës në fazën e hartimit të drafteve ligjore dhe ndihmën konkrete që do të japë ekspertiza e ODIHR-it.
Në mbledhjen e fundit që u zhvillua online, Gjiknuri dhe Alibeaj u përplasën për financimet ruse dhe dosjen e ish-zyrtarit të FBI, Mc Gonigal.



