
Fatbardh Kadilli, anëtar i Kryesisë së PD-së e konsideroi ish-kryeministrin Sali Berisha si pasuri të PD. Përmes emisionit “Arnautistan” në MCN TV, Kadilli deklaroi se do të konsultohej me Berishën nëse do të ishte kryetar partie, pasi siç u shpreh ai ish-kryeministri është influencuesi më i madh i PD.
Pjesë nga biseda:
Ju zërat kritikë ndaj Bashës ju shmangni atë elefantin në dhomë, nuk flisni për Berishën. Çfarë mendon Berisha për nismën tende?
Kadilli: Unë nuk e di se çfarë mendon Berisha konkretisht sepse nuk e kam konsultuar me të.
As më pas.
Kadilli: Jo se kam konsultuar dhe ky nuk është rasti im. Me Berishën kam pasur raport të ndërsjellë, edhe pse takimet mes nesh kanë qenë shumë të rralla sepse kemi kuptuar logjikën e njëri tjetrit. Rasti i dështimit të Bashës nuk ka pse ti faturohet Sali Berishës. Ai ka të mirat dhe të këqijat e veta në historinë politike, por në asnjë rast as dështimi i 2017-ës as ky sot nuk i takon Berishës, është vendim i Bashës. A ka bërë ai gabim për investimin e tij? Nuk e di por ai është bërë pishman për një listë investimesh.
Për këtë nuk ka dhënë shenja?
Kadilli: Nuk kam parë ndonjë shenjë të jemë i sinqertë, por e kupton kur bën inventarin ku ka hedhur investimin.
Po për ty ka rëndësi çfarë mendon Berisha për këtë që ke bërë?
Kadilli: Padyshim që ai është influencuesi më i madh pas Bashës dhe kush hynë në skenë llogarit lëvizjet influencuese, por unë nuk mund ta vë në vështirësi për ti kërkuar mbështetje. Brenda klimës së PD ai ka influencë pozitive. Nëse do isha kryetar partie do konsultohesha me të sepse është pasuri e PD, por nuk do fshihesha pas figurës së tij.



