
Kryedemokrati Sali Berisha thotë se në protestën e 7 tetorit, qytetarët do të tregojnë guximin dhe do shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.
Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator, narkokomisar, narkopolic apo narkozyrtar. Besoj se kjo ishte përgjigja për ta.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, Berisha deklaroi se 7 tetori do të jetë dita e kthesës së madhe dhe nuk do të ndalet deri në krijimin e një qeverie teknike.
Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike.
Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë.
Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen.
Pra, ne kërkojmë gjëra themelore që i mungojnë sot shoqërisë dhe popullit shqiptar.



