
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir meta kanë reaguar pas vendimit të Holandës për të mbështetur nisjen e bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan se ky është një lajm i mirë, ndërsa shton se e kishte thënë edhe më parë se pa u bërë zgjedhjet atje, nuk kemi çfarë presim.
"Lajm tjetër i mirë. Parlamenti hollandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Ju’a kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan Shqipëria u zhbllokua. Sidoqoftë faleminderit me mirënjohje”, shkruan Rama.
Ndërsa sipas Presidentit Meta, plotësimi i të gjitha kushteve do të jetë kërkesa konstante, që do të na shoqërojë këtë proces, nga nisja deri në fund, dhe do të jetë përcaktues për kohën kur do të finalizohet anëtarësimi.
“E përshëndes vendimin e Parlamentit holandez për miratimin e kuadrit negociator, e më pas, mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare edhe me Shqipërinë. Plotësimi i të gjitha kushteve do të jetë kërkesa konstante, që do të na shoqërojë këtë proces, nga nisja deri në fund, dhe do të jetë përcaktues për kohën kur do të finalizohet anëtarësimi. Duke uruar, që më 22 qershor Këshilli të vendosë pozitivisht për nisjen reale të negociatave, të ruajmë fokusin tek plotësimi sa më parë i të gjitha kushteve”, shprehet Meta.



