
Zyra e BE-së në Tiranë ka reaguar me anë të një mesazhi në lidhje me protestën e djeshme dhe incidentet në seancën parlamentare, ku u votua kryeprokurorja e përkohshme.
Në mesazhin e ambasadës së BE-së theksohet se protestat duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa përfaqësuesit e popullit duhet të tregojnë lidership, përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë për zbatimin e reformave.
“BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore. Qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”, thuhet në reagimin e ambasadës së BE-së.



