
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pritet të vendosë nesër prej orës 16:00, për fatin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me urdhërarrestimin e tij në bazë të tre akuzave. Sipas një njoftimi zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si ka kërkuar SPAK, mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe njëkohësisht për këtë seancë do të njoftohet edhe deputeti socialist, për të dëshmuar. ‘Mbledhja e Këshillit të Mandateve do zhvillohet me dyer të mbyllura për ruajtjen e sekretit hetimor’- thuhet në urdhrin e Lindita Nikollës. SPAK-u ka ngritur tre akuza kundrejt Ahmetajt: refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.



