Në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale sot në Kosovë, komuna me më së shumti votues është ajo e Prishtinës, me gjithsejtë 195 mijë e 978 votues, ku ka 52 qendra të votimit me 238 vendvotime.
“Lufta” më e madhe në garë për kryeqytetin është mes kandidatit të LVV-së Arben Vitia dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia ftoi sot të gjithë qytetarët që të votojnë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre, pasi sot vendoset fati i kryeqytetit.
“Sapo shfrytëzova të drejtën e votës. Dita e zgjedhjeve është thelbësore për demokracinë dhe shtetin. Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë dhe ndaj është e rëndësishme që secila dhe secili të marrin pjesë në këtë proces të votimit.
Bëj ftesë masivisht që të gjithë të dalin në këto zgjedhje, ta forcojmë demokracinë dhe të japim shembull të demokracisë sikur vitet e kaluar”, tha ai.
Edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka votuar para pak çastesh.
Pas votimit, Rama tha sot është ditë e mirë për Prishtinën.
“Ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë rastin dhe të votojnë. Unë sot votova në këtë ditë të mirë me diell, ditë e mirë për Prishtinën”, deklaroi Rama para mediave.
Ish-ministri i Shëndetësisë, kandidati për Prishtinën, Arben Vitia në raundin e parë kishte marrë gjithsejtë 36 mijë e 818 vota apo 42,54 për qind, kurse Përparim Rama i LDK-së, 25 mijë e 252 vota apo 29,17 për qind.



