Dëshminë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në SPAK për çështjen CEZ-DIA, analisti Andi Bushati e sheh si një çështje që ka shumë dyshime.
E kam ndjekur çështjen CEZ-DIA e cila ka shumë dyshime, madje deri tek ato mesazhet që Ilir Meta shkëmben me një nga njerëzit e dënuar, që më duhen kaq lekë për fushatë.
Çdo njeri mbi të cilin ka një dyshim, qoftë Ilir Meta apo Sali Berisha duhet t’i nënshtrohet drejtësisë.
Problemi është a kemi një drejtësi të barazlarguar, të pavarur dhe të drejtë, apo një gjueti shtrigash që do të ndëshkojë kundërshtarët e Edi Ramës, për të fuqizuar Edi Ramën.
Pyetja është a po bëhet drejtësi jo vetëm me Metën dhe Berishën, por edhe Alqi Bllako, Lefter Koka apo Arben Ahmetaj... A mund të flasim për një drejtësi ku kryehajduti nuk preket dhe vasalët e tij preken.
Nëse bëjmë një drejtësi që përkëdhel Kryeministrin dhe godet kundërshtarët e tij, kjo nuk është drejtësi.
Për edicionin e lajmeve në MCN TV, Bushati tha se në Shqipëri kemi pasur një drejtësi që ka krijuar një aureolë pandëshkueshmërie.
Por sipas tij, ne kemi pasur një drejtësi që vërtetë nuk të ndëshkonte, por që në pafuqinë e saj ishte e barazlarguar nga palët.
Ndërsa tani rrezikojmë që më i fuqishmi e përdor kundër të pafuqishmëve, ndaj mendoj se drejtësia është në dorën e Edi Ramës.
Revolucionet asnjëherë nuk i hanë të gjitha kokat, edhe pse hanë nga kokat e bijve të vetë.
Sa i takon reformës tonë në drejtësi nuk kemi të bëjmë me një revolucion, por një nismë pallati.
Diçka e nisur nga lart e cila vazhdon të dirigjohet nga lartë.



