Politologu Ermal Hasimja duke folur në emisionin “Zonë e Lirë” e konsideron diktatorin Enver Hoxha si anti-patriotin më të madh në historinë e Shqipërisë.
Hasimja thekson se jo vetëm në doktrinën marksiste, por edhe në aktet që lidhen me Kosovën, Hoxha ka treguar anti-patriotizmin e tij.
“Enver Hoxha qoftë me doktrinë, qoftë me personalitetin e vet apo gjithçka çfarë ka bërë, është anti-patrioti më i madh në historinë e Shqipërisë. Marksizmi s’është doktrinë nacionaliste, është në kundërshti të plotë me idenë e nacionalizmit. Është internacionaliste. Doktrinën e ka përdhunuar Stalini pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe mos ishte doktrina s’ka lidhje me patriotizmin, po e heqim çfarë i bëri Shqipërisë. Po marr faktin e thjeshtë që në momentin kur nacionalistët e Kosovës u ngritën, arritën të përzënë në disa krahina jugosllavët e Titos, vijnë brigadat komuniste partizane të Shqipërisë, e spastrojnë, vrasin, djegin, masakrojnë, grabisin, dhe ia japin Kosovën të gatshme Titos, ndryshe nga përralla që është treguar këtu për 45 vite që shkuam ne atje për ta çliruar Kosovën. Nga çfarë do ta çlirojë Kosovën? Pa folur për masakrën e Tivarit, që është bërë me bashkëpunimin e plotë të komunistëve shqiptarë”.



