Pavarësisht debateve të ashpra në një seancë maratonë plenare, PD dhe PS kanë bashkuar votat dhe kanë miratuar ndryshimet e reja në Kodin e Ri Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës.
Drafti i ndryshimeve është miratuar me 108 vota pro, dhe pas pëlqimit të presidentit Bajram Begaj, ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë.
Ndryshimet në Kod përfshijnë edhe afrimin e afatit në 12 mars, si data e fundit për regjistrimin e partive dhe kandidatëve në KQZ, për zgjedhjet e 11 majit.
Amendamentet e opozitës për njohjen e mjeteve biometrike të huaja për tu votuar nuk u përfshinë.
Ndërkohë PD dhe PS janë bërë bashkë, duke shkrirë Këshillin Drejtues të RTSH-së me në krye Leka Bungon dhe anëtarët, Ilir Kekos, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci.
Kriza në RTSH nisi pas skandalit në garën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm. Tanimë procesi është pezulluar.
Gara nxori në pah një sërë abuzimesh të Këshillit drejtues të RTSH-së, nga shpërdorimi i fondeve e deri te konflikti i interesit.



