Deputeti socialist Baftjar Zeqaj tha në MCN Live se opozita s’e ka lexuar rezolutën e PS për komisionin anti-korrupsion, por sipas tij PD do të përfshihet me kalimin e kohës, sikurse ndodhi edhe në fillim të reformës në drejtësi.

"Opozita s’e ka vlerësuar rezolutën, e ka marrë pak lehtë, por me kalimin e kohës do ta kuptojë mirë që është një platformë e qeverisjes deri në 2030-ën. Në mënyrë arbitrare ka thënë që s’do marrim pjesë në komision. S’e di sa e vendosur do të jetë në këtë çështje. Po i mëshoj shumë faktit, që opozita s’e ka parë dhe e ka nënvlerësuar këtë moment, dhe me kokën lart nga dritarja, ka thënë jo. U theksua që dora është e shtrirë, që në komision të përfshihet edhe opozita. Do të vazhdojë të humbasë shumë pikë, shumë kreditë, siç humbi në fillim të reformës në drejtësi, kur u ngrit.
Është një përgjithësim i gjithë periudhës së demokracisë kjo platformë. Pas sugjerimeve të BE, DASH, pas një përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën, hartohet kjo platformë. Ka një problem që platforma s’është lexuar nga opozita. Do lexohet s’e s’bën. S’mund të rrinë vetëm një grup njerëzish, ku do përfshihen të gjitha institucionet, shoqëria civile, grupe ekspertësh. Nuk munden disa deputetë të thonë ‘ne s’jemi dakord me këtë’. Ky draft është si ta kishte hartuar opozita, sepse brenda ka një vështrim autokritik, për të gjitha vitet e qeverisë. S’është vetëm lufta kundër korrupsionit në këtë platformë, pika e parë është dialogu”.
Zeqaj vuri në dukje se nisma nuk ka lidhje fare me pretendimet se bëhet për të kontrolluar SPAK-un.
"Po si mund ta kontrollojmë SPAK-un ne, që është në vëzhgimin e të gjithë ndërkombëtarëve?! Nuk është folur që të ngremë një strukturë që të ketë nën kontroll SPAK-un. Asnjë frazë s’ka aty për SPAK-un, nuk përmendet fare”.



