
Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, është mbledhur sot për herë të parë ku do të shqyrtohen parregullsitë e këtij procesi.
Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj teksa u diskutuan disa kërkesa nga maxhoranca dhe opozita, konstituoi komisionin, ndërsa prezantoi anëtarët e tij. Ndër të tjera Alibeaj bëri të ditur se komisioni do të ketë një afat 3 mujor.
Mbledhja e parë konstituive, jo vetëm ka të paracaktuar momentin se kur mblidhet, ditën, por në ligjin përkatës, është caktuar se cili do të jetë rendi i ditës. Sa i takon vënies në dispozicion të materialeve, jemi munduar të krijojmë komoditet për të gjithë anëtarët e komisionit. Çështja e parë është konstituimi i këtij komisioni.
Ju thashë edhe më parë, në konsultim dhe me sekretariatin, është bërë verifikimi i anëtarëve, dhe ky komision do të ketë këtë përbërje; Enkelejd Alibeaj, kryetar, Toni Gogu, zv./kryetar, anëtare Klotila Bushka, Blerina Gjylameti, Nasip Naço, Petri Koço, Bardhyl Kollcaku, nga PS. Gazmend Bardhi nga PD, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferraj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Petrit Vasili, deputet i pavarur.
Secili prej grupeve parlamentare përcakton edhe anëtarët zëvendësues; Xhemal Qefalia, nga PS, Etien Xhafaj nga PS, Arbi Agalli nga PD, Lindita Metaliaj nga PD. Duke marrë edhe shqetësimin e zotit Bardhi, marrin pjesë anëtarët me të gjitha të drejtat. Anëtarët zëvendësues, thirren kur anëtarët e tjerë nuk marrin pjesë. E konsideroj në mënyrë të konstituar komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Afati i këtij komisioni do të jetë tremujor dhe përfundimi i tij do të jetë deri në datën 4 janar.



