Partia Demokratike denoncon kryetarin e bashkisë së Tiranës se ka hapur rrugën për ngritjen e një kulle të re 25 katëshe në qendër të Tiranës, aty ku dikur ishte hotel Vjosa.
“Bashkia e Tiranës e spastroi zonën nga ndërtesat historike, kur e gjithë vemendja e publikut ishte përqendruar tek një shkatërrim tjetër, ai i Teatrit Kombëtar. Gjithçka është vënë në dispozicion të kullës së re 25 katëshe, e projektuar nga arkitekti klient i Edi Ramës, Uini Mas, i cili ka deklaruar publikisht se punon me 3 njerëz në Shqipëri: Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Vangjush Dakon“ denoncoi sot në mesditë ish deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ndërsa publikoi dhe vendimin që I hap rrugën ndërtimit. Me firmën e tij dhe me atë të kryebetonierit të Tiranës Erion Veliaj, kulla 25 katëshe, 85 metra e lartë, është më e reja që do të rrethojë përfundimisht sheshin Skënderbej", denoncoi Enkelejd Alibeaj sot në mesditë në një prononcim nga vendi ku pritet të ngrihet kulla.
Kjo është kulla e katërt në ndërtim në anë të Sheshit Skënderbej dhe për PD nuk ka asnjë dyshim se është pastrim parash të krimit ose korrupsionit.
“Dy Kompanitë që kanë lejen për të ndërtuar kullën 25 katëshe nuk kanë para të mjaftueshme. Gjendja e tyre financiare nuk i lejon të mbarojnë një kat të një ndërtese të tillë, jo më të mbarojnë të gjithën kullën. Eshtë fare e qartë se rrethimi i sheshit Skenderbej me kulla është një projekt mafioz, që i shërben pastrimit të parave të pista me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ata e kanë shndërruar Tiranën në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan”, tha Alibeaj.



