
Pas kërcënimit me fishek te dritarja e zyrës së prokurorit të Përmetit, Asllan Bajrami një reagim ka ardhur edhe nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit e cilëson të rëndë dhe të dënueshme ngjarjen, ndërsa bën thirrje për hetim të shpejtë dhe vendosjen para ligjit të autorëve.
Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllani Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme. Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar. Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.
Asllan Bajrami, drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë në Përmet është kërcënuar për shkak të detyrës, ku persona të paidentifikuar i kanë lënë në dritaren e zyrës së tij një fishek model 56, që dyshohet të jetë mesazh kërcënues.



