
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka lajmëruar se i ka përfunduar takimet ndarazi me kryenegociatorët e dy vendeve, zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe të ashtuquajturin drejtor të zyrës “për Kosovën”, Petar Petkoviç.
Përmes një njoftimi në Twitter, Lajçak bëri të ditur se zhvilloi diskutime intensive me dy kryenegociatorët për një seri temash konkrete që do të zhvillohen gjatë ditës në Bruksel.
Në agjendën e ditës do të diskutohet implementimi i marrëveshjeve të arritura që nga fillimi i bisedimeve mes dy vendeve, e cila, siç thuhet, duhet të kulmojë në normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Petar Petkoviç ka deklaruar se do të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe lejimin e mbajtjeve të zgjedhjeve të përgjithshme serbe të 3 prillit.
Takimi i nivelit të lartë politik do të varet nga takimi i kryenegociatorëve, si dhe përafrimi i qëndrimeve rreth disa çështjeve të rëndësishme për të dyja palët.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.



