Pas përfundimit të takimit të Komisionit për Reformën Zgjedhore deputetja Rudina Hajdari u shpreh për mediat se betejën për ndryshimin e sistemit zgjedhor do t’i shkojnë deri në fund dhe se këtë betejë po e vazhdon në Parlament.
Hajdari: Trajtuam çështjen e marrëveshjes që u arrit në Këshillin Politik. Patjetër që duhet të kuptohet që Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është mbledhur si institucion pjesë e parlamentit. Duhet të ishte trajtuar hap pas hapi çdo pikë e asaj marrëveshje, por anashkalimi i opozitës parlamentare ka sjellë një tension të lartë ndaj jemi në këtë pikë. Gjithsesi ajo që është e rëndësishme për ne si opozitë parlamentare është fakti që ne kemi shpallur si luftë kryesore për të arritur në këtë komision dhe në vijim ndryshimin e sistemit. Beteja jonë tani është në parlament dhe ne kemi vullnetin për ta çuar deri në fund dhe nuk është thjeshtë betejë e opozitës parlamentare por e gjithë qytetarëve. Partitë politike nuk duhet të kenë frikë nga hapja e listave me ndryshimin e sistemit.
Gjithashtu i të njëjtit mendim ka qenë dhe deputeti Ralf Gjoni i cili u shpreh se nuk do të ketë dakordësi nëse në Këshillin Politik nuk do të ketë një ndryshim të sistemit zgjedhor me lista të hapura.
Ai thotë se përpara firmave të 50 mijë qytetarëve për ndryshimin e sistemit, nuk i vendos fimat e Këshillit Politik.
Gjoni: Komisioni ka dy objekte. Objekti 1 është trajtimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dhe objekti i dytë për hapjen e debatit kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor me listat e hapura. Unë jam mbështetës i kësaj nisme. Kjo kërkesë e shqiptarëve nuk është trajtuar në Këshillin Politik. Firmat e këshillit nuk i vendos përpara firmave të 50 mijë qytetarëve. Nuk do të ketë asnjë dakordësi për të kaluar në parlament një reformë për ndryshim të sistemit zgjedhor. Në 10 vite, ne jemi treguar njerëzit më me forcë. Vjet në këtë kohë askush, nuk fliste për listat. Sot të gjithë shqiptarët flasin për këto listat.
"Ne jemi një parti që u qëndrojmë marrëveshjeve dhe nuk mund të bëhemi palë me shkeljen e marrëveshjeve".
Kështu deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri pas mbledhjes online të Komisionit për Reformën Zgjedhore si përgjigje për kërkesat e opozitës parlamentare, e cila kërkon hapjen e listave dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.
Gjiknuri: Ne do të bëjmë çmos që ajo paketë të kalojë, nuk mund të parashikoj se çfarë ngjarjesh do të ndodhin për gjëra që nuk i kam në kontroll. Mazhoranca votat e saj i ka të plota. Do të mundohemi të bindim, çdo anëtar tjetër të parlamentit që kjo paketë është shumë e rëndësishme, është në dobi të shqiptarëve dhe nga ana tjetër çështja e sistemit që mbetet akoma e hapur kemi rënë dakord për ta trajtuar në një fazë të dytë. Megjithatë mos më pyesni për gjëra që nuk i kam në dorë.
Pyetje: ''Opozita parlamentare ka kërkuar ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, një ide që e keni mbështetur dhe ju më herët. Si ju duket?''
Gjiknuri: Jo ne nuk kemi dalë asnjëherë si PS me propozim për sistemin zgjedhor. Kemi thënë që mazhoranca flet e fubndit për sistemin zgjedhor, u hap dhe në Këshillin Politik por nuk gjeti konsensusin pasi një pjesë e partive nuk ishin të qarta se çfarë sistemi kërkonin. Nuk dua të flas për një gjë që sapo e kam marrë vesh dhe nuk e kam parë.
Ai paralajmëroi që drafti final për reformën zgjedhore do të miratohet shumë shpejt në seancë plenare.
Damian Gjiknuri: ''Drafti do paraqitet shumë shpejt në Komisionin e Reformës Zgjedhore për tu miratuar dhe për të shkuar më pas në seancën plenare. Më shumë ishte një seancë informuese për anëtarët për atë çka kemi arritur me grupin negociator të Këshillit Politik dhe për hapat e mëtejshëm të miratimit përfundimtar të amendimeve të kodit zgjedhor.''



