
Disa prej kryebashkiakëve të djathtë, ende në detyrë, kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Takimi është zhvilluar në zyrën e përfaqësuesit diplomatik të Italisë në vendin tonë dhe ka pasur temë qendrore aktualitetin politik.
Takimi vjen vetëm dy ditë pasi kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, iu drejtoi një letër gjithë ambasadorëve të huaj në Tiranë, duke iu kërkuar ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për shqyrtimin e kalimit të pushtetit te pasardhësi socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Detaje të takimit janë bërë të ditura nga vetë Ademi në “Facebook”.
“Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tone SHT Z. Alberto CUTILLO për përgjigjen ndaj letrës që unë, si kryetare e Bashkisë dhe qytetare e Shkodrës, i dërgova si përfaqësues i një vendi mik dhe me lidhje të ndërsjellta shekullore. Në Ambasadën e Republikës së Italisë me Z. Ambasador, bashkë me kolegët z. Agron Kapllanaj kryetar i Bashkisë Mallakastër dhe z. Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, zhvilluam një bisedë tejet konstruktive, ku përcollëm të gjitha shqetësimet tona tashmë të njohura e publike. Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çeshtjet e rëndësishme që ngritëm për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti. #FaleminderitAmbasadorCutillo”, ka shkruar Ademi.



