Ish-kandidatja demokrate, Hillary Clinton ka mbështetur Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.
Ky vendim është konsideruar një shenjë se demokratët janë të bashkuar për garën e nëntorit kundër presidentit aktual, Donald Trump.
Clinton e njoftoi mbështetjen e saj në një ngjarje të zhvilluar online, të organizuar nga fushata e Bidenit, për të treguar sesi pandemia është duke ndikuar te gratë.
Lajmi vjen në kohën kur ish-zv/presidenti amerikan është duke u përballur me akuza për ngacmim seksual nga ish-pjesëtarja e stafit të tij në Senat, Tara Reade.
Gjatë kësaj jave dy persona kanë thënë që Reade u ka treguar atyre për ngacmimet seksuale në mesin e viteve 1990. Vetë Biden nuk i ka komentuar këto pretendime.
Reade, e cila pretendon se është një demokrate prej kohësh, sulmoi dhe Clintonin pas mbështetjes së dhënë për Bidenin, duke deklaruar se po ndihmon një “grabitqar seksual”.



