
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet do të qëndrojë për vizitë sot në Kosovë, në përpjekje për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Chollet në Prishtinë do të pritet në takime të ndara nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Takimi mes Osmanit pritet të ndodhë nga ora 13:30, ndërsa ai me Kurtin nga ora 14:30.
Këshilltari i lartë amerikan pritet të takohet edhe me kryetarët e partive opozitare.
Këshilltari i lartë amerikan ditë më parë ka thënë se është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.
Chollet në intervistën për Zërin e Amerikës theksoi se është e rëndësishme që të mos ketë më përsëritje të krizës.
Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë.
Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë…
Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë.Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri.
Në kuadër të vizitës së tij në Ballkan, Chollet do të qëndrojë në Shkup, Prishtinë dhe më pas Beograd.



