
Qeveria e Serbisë, ka nisur sot një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të shqyrtohet situata në Kosovë. Në këtë seancë po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç me ftesë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç.
Në seancën e qeverisë, Vuçiç, do të paraqesë një raport për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, të cilët kanë paralajmëruar largimin nga institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe shkarkimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, raporton Danas.
Ndërsa pas seancës, Vuçiç do të takohet veçmas me ambasadoren e Kinës në Serbi, Chen Bo dhe ambasadorin rus Aleksandar Bochan-Kharchenko, e më pas me Patriarkun Porfiri dhe Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe.
Në anën tjetër nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, ka njoftuar se në mesditë në Komunën e Zveçanit, do të mbahet takimi i përfaqësuesve politikë të serbëve nga Veriu i Kosovës dhe përfaqësuesve të të gjitha institucioneve të Kosovës në Veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.



