Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës se si po drejtohet Partia Socialiste, duke deklaruar se ajo nuk funksionon më si një forcë politike klasike, por është në aleancë me krimin e organizuar dhe bandat.
I ftuar në studio në MCN Live, duke iu referuar asambleve të fundit të PS-së dhe mbledhjes së radhës në Elbasan, Blushi tha se strukturat e partisë janë zëvendësuar nga grupet kriminale, duke përmendur konkretisht Tregun Agro-Ushqimor të Elbasanit dhe personazhe të botës së krimit.
Edi Rama tanimë nuk është në aleancë me socialistët dhe me ata që sollën edhe Erion Veliajn në pushtet, por është në aleancë me bandat dhe me krimin. Kush mund të presë sot ndonjë lajm se Asambleja Socialiste e Elbasanit do të organizojë strukturat? Qendra e gravitetit të votave të Edi Ramës në Elbasan nuk është Asambleja e Partisë Socialiste, por është Tregu Agro-Ushqimor, aty ku gjen strehë të sigurt edhe Ergys Agasi, pra te banda e Suel Çelës.
Deputeti i Partisë së Lirisë u ndal edhe te përjashtimi i ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke e cilësuar si provë se i vetmi kriter për të mbijetuar në strukturat e PS-së është heshtja dhe nënshtrimi ndaj Kryeministrit.
Nuk kemi të bëjmë më me një parti e cila funksionon sipas mënyrës klasike me struktura vendore dhe forume drejtuese. Për sa kohë në këto struktura ka vetëm një mesazh kryesor: që heshtja, dhe vetëm heshtja, ulja e kokës para Edi Ramës, është i vetmi kriter për të qenë anëtar i këtyre forumeve. Mjafton t'i referohemi faktit që u përjashtua ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila të vetmin akt trimërie të saj kishte një status në Facebook.
Më tej, Blushi theksoi se Partia Socialiste e figurave historike si Dritëro Agolli dhe Servet Pëllumbi nuk ekziston më, duke u zëvendësuar sipas tij nga personazhe të lidhura me afera dhe krimin.
Sot nuk kemi një Parti Socialiste, sepse partia e Dritëroit është tanimë partia e Nesti Angonit. Partia e profesorit të ndjerë Servet Pëllumbi është partia e Nasta Pëllumbit. Mjaftojnë vetëm këto fakte për të kuptuar se si funksionon sot një organizatë, në fakt kriminale. Tirana, Elbasani dhe Durrësi janë të blinduara nga krimi i organizuar.
Në përfundim, Tedi Blushi bëri një ndarje mes socialistëve të ndershëm dhe atyre që ai i cilëson si të lidhur me krimin, duke sjellë në vëmendje edhe akuzat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Socialist unë i them Arben Malajt, socialist unë quaj Irena Beqiren, unë nuk quaj socialist Ergys Agasin. Unë ju ftoj të riktheni në vëmendjen tuaj intervistat e ish-krahut të djathtë të Edi Ramës, Arben Ahmetaj, i cili qartësisht tha se në Qarkun e Tiranës, të Durrësit, të Elbasanit dhe të Shkodrës, Edi Rama ka bashkëpunuar ngushtësisht me krimin e organizuar dhe me bandat.
