Deputeti i PS Petro Koçi tha në MCN Live se ndërprerja e fondeve për USAID-in, nuk krijon asnjë problem në lidhje me financimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, dhe nuk krijon asnjë dëm moral për to.
Ai vë në dukje se nuk kemi asnjë qëndrim të ri të SHBA-ve në raport me reformën në drejtësi, por kemi të bëjmë vetëm me tituj mediatik dhe aludime.
“Objektivi i aktit të Trump s’lidhet fare as me Shqipërinë në vetvete, dhe aspak me drejtësinë. Kjo është një çështje e brendshme e SHBA-ve, që lidhet me një këndvështrim tjetër, me një dorë tjetër menaxhimi për disa fonde që jepen. Ajo që është keqperceptuar lidhet me titujt e medias, që SHBA-të ndërpresin mbështetjen buxhetore për SPAK-un, që s’është e vërtetë. Në përgjithësi janë financime që lidhen me trajnime, vizita jashtë vendit, projekte të ndryshme, por jo me buxhetimin e institucioneve fare. Dëmi moral është përpjekur të krijohet përmes titujve të mediave. Por s’besoj që ka dëm moral. S’kemi asnjë qëndrim të ri të Amerikës në raport me reformën në drejtësi dhe institucionet e reja që janë krijuar me këtë reformë”.



