
Një lojë pingpongu me akuza mes mazhorancës dhe presidencës ka nisur sot, menjëherë pas deklaratës së Presidentit të Republikës për tubimin më 2 mars kundër shpartallimit siç e quajti ai grushtin e shtetit që po përgatit qeveria për të kapur institucionet. Në fillim ishte ministrja e Shtetit per Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila në Twitter shkruante që “grushti i shtetit ishte ide që ka nisur në kokën e Metës qysh kur nisi Reforma në Drejtësi dhe do të vazhdojë sa herë që në konsensus me SHBA/BE miratohen që atij i duken grushta”.
Më vonë, ishte ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruante se është koha për të kornizuar me ligj funksionimin e Presidentit.
“Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliard fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”, është shprehur ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga presidenca teksa Tedi Blushi, zëdhënës i presidentit Meta, e ka etiketuar ministrin Lleshaj “gjenerali nën poture”.
“Qetësohu “Gjenerali” nën poture: Rendin në 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin!”, thotë Blushi.



