Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, në ‘MCN Live’ kritikoi ashpër vendimin e mazhorancës për të refuzuar krijimin e një komisioni hetimor për AKSHI-n.
Alimehmeti tha se qeveria dhe kryeministri Edi Rama po shmangin hetimin e drejtë të këtij institucioni.
Qartazi nuk duan të tregojnë çfarë ka ndodhur brenda AKSHI-t. Të njëjtën sjellje antikushtetuese dhe antirregullore e kanë bërë edhe për koncesionet apo TIMS-in e asaj kohe. Rama nuk dëshiron të shihet çfarë ka ndodhur brenda AKSHI-t. Hetimin për AKSHI-n e refuzoi vetë Rama.
Sipas Alimehmetit, arsyeja e refuzimit është se AKSHI është një agjenci nën kryeministri, dhe Rama nuk dëshiron që të hetohet drejtpërdrejt.
Këta e kanë marrë të gjithë shtetin në dorë, kriminaliteti bashkë me kryeministrin. Komisioni hetimor duhet jo vetëm për abuzimin e madh me para, por edhe për sigurinë kombëtare. Në shumë aspekte, PS luan me sigurinë tonë. AKSHI është agjenci nën kryeministri, ai do ta zvarrisë dhe ta heq, por nuk do të ndodhë.
Ai gjithashtu kritikoi grupin parlamentar socialist, duke thënë se deputetët kanë “kthyer kokën poshtë dhe kartonët lart”, duke mos guxuar të sfidojnë lidershipin.
Grupi socialist ka kthyer kokën poshtë dhe kartonët lart, sepse nuk kanë guxim të dalin kundër liderit të tyre. Por jam i sigurtë se brenda PS ka zëra kundër.
Alimehmeti diskutoi dhe lidhur me reformwn territoriale ku u shpreh se pretendimet për një administratë më të vogël dhe më efikase janë të gabuara. Ai theksoi se çdo zonë ka nevojë për shërbime konkrete dhe se reformat kryhen shpesh për arsye zgjedhjesh.
Reforma nuk pati një rezultat pozitiv. Numri i administratës në fakt u dyfishua, jo u ul. Nga krahu tjetër, efekti negativ është që largon shërbimet nga qytetarët, jo vetëm gjeografikisht, por edhe për sa i përket burimeve të buxhetit. Çdo zonë ka nevojë për shërbime konkrete dhe gjithçka e bëjnë për zgjedhjet.



