Anëtari i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike Vlorë, Gjergj Nika, refuzimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ta regjistruar si kandidat të pavarur për zgjedhjet e 9 nëntorit, e sheh të lidhur me ndërhyrjen e dy forcave kryesore politike.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se refuzimi për regjistrimin e kandidaturës së tij do të prishte shumë balanca qoftë për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
Ai tha se të dy kandidatët si i PS dhe i PD janë kandidatë të majtë dhe se ai në rast garimi do të dilte i dyti në zgjedhje.
Argumenti i mos regjistrimit tim si kandidat në zgjedhje është vetëm një dhe i qartë: ndërhyrja e dy forcave të mëdha politike për të ndaluar kandidimin tim. Sepse kandidatura ime do prishte shumë balanca qoftë për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
Unë do dilja kandidati i dytë në garë dhe kandidati i PD, i treti. E dija pjesën që nuk do regjistrohesha, pothuajse që prej ditës që dorëzova në protokoll të premten, ku kundërshtuan të merrnin dokumentet e mia dhe nxirrnin problematika të ndryshme.
Kandidatët e propozuar nga zgjedhësit përjashtohen nga komiteti nismëtar dhe unë përjashtohem pasi jam këshilltar bashkiak. Ata kaluan kandidatin e pavarur të PD në Tepelenë, i dënuar me 1 vit e katër muaj burg.
Më pengojnë si kandidat, se jam kandidat jashtë lojërave të tyre politike. Vendimin e KQZ, e ankimova dje në KAS, mbrëmë u mblodh KAS në orën 19.00 dhe prej lobimit të dy palëve e prisja vendimin dhe sot e ankimova në Kolegjin Zgjedhor.
Jam në një pritje pozitive të Kolegjit Zgjedhor. Nëse Kolegji do anulojë vendimin e KAS, do marrë pjesë në zgjedhje. Kam diskutuar me bazën e PD Vlorë, e kam diskutuar edhe me dy grupet e PD, edhe me PD e Rithemelimin edhe me kreun e Partisë Republikane dhe e kemi lënë që njëri prej nesh të jemi në garë, sepse ne kemi bërë më shumë se kushdo për qytetin e Vlorës.
Ata më kanë propozuar mua në garë. Kam mbajtur funksionet më të larta në PD. Ka qenë këmbëngulja e drejtuesit politik në Vlorë dhe ka thënë se është një urdhër i ardhur nga qendra, duke mbështetur një kandidat të pavarur nga shoqëria civile.
Por garantoj se në zgjedhjet e 9 nëntorit, nuk do marrin pjesë më shumë se 15% e zgjedhësve, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve do e sobotojnë.
Të dyja kandidatët për Vlorën, janë të dyja kandidatura të majta. Dhe janë vendosur me qëllim, marrë parasysh rënien e mbështetjes për Partinë Socialiste Vlorë.
Mbajtur parasysh që Partia Socialiste po e mban fushatën vetëm me administratën që ka, duke u bërë presion për të shkuar nga një takim në tjetrin. Administrata është e detyruar të shkojë vetëm për kafshatën e bukës së tyre.



