
Nga Tirana do të nisnin zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor 2025 për 6 bashki, por beteja juridike mes ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe aeverisë e cila firmosi shkarkimin e tij, bënë që gjithçka të pezullohet në kryeqytet.
Zgjedhjet e pjesshme kokale në vend u kushtëzuan së shumti nga fati i kryebashkiakut Veliaj, i cili nuk arriti të bind drejtësinë për ta liruar, ndërsa më 11 shtator Kryeministri i hapi rrugë shkarkimit të Erion Veliajt. Ai i kërkoi këshillit bashkiak socialist ta nisë këtë procedurë.
E pas një vendimi me shumicë votash, Veliaj u shkarkua dhe nëpërmjet Kryeministrisë, Presidenca u njoftua për 6 vakanca: Tiranë, Berat, Burrel, Tepelenë, Cërrik, Vlorë.
E teksa për 5 bashki arsyeja ishte e njëjtë- largimi i qytetarit të parë drejt parlamentit apo këshillit të ministrave- për Tiranën shkak u bë mungesa e Veliajt në detyrë për mbi tre muaj.
Më 01 tetor 2025, Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në këto 6 bashki.
Në dekret u përfshinë të gjitha 6 bashkitë, me theks që për Tiranën situata juridike ishte e diskutueshme.
Në rastin e Tiranës, kryetari i shkarkuar, Erion Veliaj, ankimoi dekretin në Kushtetuese. Teksa me votë unanime të 9 gjyqtarëve, më 9 tetor 2025, u pezulluan zgjedhjet në Tiranë deri në vendimin final që do të jepet pas seancës së 31 tetorit 2025.
Kështu, sipas institucioneve zgjedhore, më 9 nëntor do të zhvillohen zgjedhje për vetëm 5 bashki, përjashtuar Tiranën, përderisa procesi për Tiranën mbetet i ngrirë në pritje të vendimit të Kushtetueses.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi projekt vendimin që fushata elektorale për këto zgjedhje të nisë më 01 nëntor 2025.
Afatet: regjistrimi i subjekteve politike deri më 11 tetor, kandidaturat deri më 19 tetor.
Subjektet kryesore kanë bërë publike listën e kandidatëve me të cilët pretendojnë të marrin drejtimin e qyteteve:
Për Tiranën: Ogerta Manastirliu (PS), PD dhe Opozita e Bashkuar mbështet Florian Binaj
Për Vlorën: Brunilda Mersini (PS), PD dhe Opozita në Vlorë mbështesin Dionis Sotën
Për Tepelenën: Gramoz Sako (PS), PD mbështet Gabriel Gumën, një arkitekt 26-vjeçar i kthyer në vendlindje
Për Beratin: Ervin Ceca (PS), Pavlo Shkarpa, që po kërkon ndryshim në drejtimin lokal dhe ka mbështetjen e opozitës
Për Cërrikun: Florenc Doka (PS), PD mbështet Amarildo Hoxhën, mjek i ekipit të futbollit të Elbasanit
Për Matin: Altin Bojni (PS), PD mbështet Eduart Brahlikën, avokat
Fushata do të jetë relativisht e shkurtër: vetëm pak ditë nga njoftimi publik deri më 9 nëntor. Ndërsa zyrtarisht ndryshe nga zgjedhjet e 11 Majit kur u ngrit një strukturë për integritetin e Procesit mes SPAK, Policisë, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, FactCheck mëson se më 9 nëntor nuk do të ketë një instrument të tillë.



