
Për ngjarjen në fshatin Bularat ku mbeti i vrarë nga forcat RENEA, 35-vjeçari Kostandin Katsifas ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit e konsideron një ngjarje të izoluar atë që ndodhi në Bularat më 27 tetor dhe i bën apel partive politike të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.
"Vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Vlerësoj qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive", thekson Meta.
Gjithashtu, presidenti dënon banderolën në shkallët e Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu.
"Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë", vazhdon Meta më tej.



