Pas raportit të agjencisë së vlerësimit Moody’s e cila e mbajti vlerësimin B1 të borxhit për Shqipërinë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë thekson se Shqipëria vazhdon kthesën në drejtimin e duhur. Sipas kreu të ekzekutivit, kjo nuk do të thotë aspak se gjërat po shkojnë fjollë, por padyshim do të thotë shumë për ata që duan të shikojnë, duan të dëgjojnë dhe duan të kuptojnë! “Shqipëria vazhdon kthesën në drejtimin e duhur, përmes reformash rrënjësore që garantojnë të ardhmen”, u shpreh Rama.
“Sipas raportit të Moody’s, ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikimin se në 2016ën, deficiti do të zbresë në 2.5 përqind, më i ulëti në dy dekada! Moddy’s konstaton se borxhi ynë publik tashmë ka filluar të ulet dhe konfirmon qëndrimin e qeverisë se, vitin e ardhshëm borxhi do të zbresë në 69 %, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik”, theksoi Rama.
Agjencia e ka lënë të pandryshuar vlerësimin për borxhin e Shqipërisë. “Ne presim që raporti i borxhit të qeverisë së Shqipërisë të arrijë në 69% të PBBsë në vitin 2017″, thotë Evan Wohlmann, asistent i zvendëspresidentit në Moody. “Shqipëria gjithashtu përballet me kërkesa të konsiderueshme për huamarrje bruto”, shtoi ai.
Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme për reforma administrative dhe në drejtësi duhet të përmirësojnë dukshëm mjedisin e biznesit në vend, vlerëson Moody.



