Analisti Roland Lami tha në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se shqiptarët po largohen pasi nuk gjejnë shpresë dhe alternativë te opozita, dhe shohin që qeveria është e paaftë të zgjidhë situatat.
Ndërsa u ndal te situata në PD, analisti vuri në dukje se vetmja gjë që ndryshoi në këtë parti ishte largimi i Bashës.
Sipas Lamit politika në Shqipëri ndryshon nga vendet e tjera, pasi në vendin tonë pakicat nuk kanë mundur kurrë të kthehen në shumica në partitë përkatëse.
Tre ishin pritshmëritë e demokratëve nga lëvizja e z.Berisha. U përshëndet si mënyrë, e vetmja ndoshta për të larguar z.Basha. U pa si person që mund të bënte të mundur hapjen e partisë. U gjykua se strukturat do ishin të rinovuara. Po të bësh analizën sot vetëm z.Basha ka ndryshuar, që s’është më në PD. Këta edhe kur duhet të bëjnë sikur na i kursejnë këtë lojë teatrale duke thënë: jo or zotëri mua vetëm biologjia më largon nga partia. Ku është diferenca jonë me vendet e tjera? Flukset që janë shumicë, jeta e brendshme e partive i kthen pakicë. Sepse pakicat atje gjejnë terren, ndryshojnë ekuilibra. Te ne shumicat mbeten shumicë, asnjëherë pakicat nuk bëhen shumicë. Ka pasur përpjekje, flukse, individë me teza interesante, kurrë s’u kthyen në shumicë. Shumica i vendos murin kinez që mos kenë mundësi të zgjerohen, aq më tepër të mendojnë ta mundin kryetarin e partisë.”
Njerëzit largohen sidomos shtresa e mesme, ikin sepse nuk shohin perspektivë. Opozicioni është ai që të jep shpresë, që kam alternativën, ekipin, doktrinën, vizionin ndryshe. Fakti që as te njëra palë, që është dekadencë totale, dhe pala tjetër është shpartallim, bën që njerëzit të jenë në krizë. Në këto situata lindin parti të reja që rriten shpejt në përqindje, në kontekstin tonë hapim sytë dhe s’po gjejmë, s’po shohim. Kuotat e konservatorëve në Angli kanë rënë ndjeshëm, dhe një nga problemet është paaftësia për menaxhimin e emigracionit, e gjitha kjo s’mund të kalojë me një tezë raciste. Njerëzit ikin në Angli jo për ekskursion apo një lloj kurioziteti, por shkojnë për shkak të paaftësive të qeverisë për të zgjidhur situatat”.



