
Mes Amerikësh dhe Europës, ish ministri Ylli Manjani tha se do të zgjidhte Europën. Në një intervistë për emisionin “Arnautistan” në MCN TV Manjani tha se zgjedh Europën për shkak nuk kërkon viza dhe i jep liri. Ai gjithashtu tha se ekonomia shqiptare nuk e njeh dollarin dhe “një aleat që s’më investon nuk më shërben”, tha ai.
“Jam me qasje europiane 100 karatsh. Mes Amerikës dhe Europës, padiskutim që do të zgjidhja Europën. Unë jam europian i bindur sepse jam në Europë. Europa nuk më kërkon vizë kur të shkoj, ndërsa për të shkuar në Amerikë më duhet të pres në radhë dhe me idenë se mund të mos ma japë vizën. Shtetet që më vënë vizë unë u vë vizën. Këtë e kam si të shenjtë. Europa më jep lirinë. Ne hamë bukë në Europë. Ekonomia jonë nuk e njeh dollarin dhe një aleat që s’më investon nuk më shërben. Nëse duhet të zgjedhim, duhet të zgjedhim mirënjohjen për atë që kanë bërë për Kosovën. Mendoj se duhet të jemi europianë dhe nuk ka asnjë qasje tjetër”, tha Manjani.



