Përfaqësuesi i opozitës së bashkuar në këshillin politik Oerd Bylykbashi i është përgjigjur kundërshtarit Damian Gjiknuri, përfaqësues i mazhorancës, për modelin që duhet zgjedhur për koalicionet. Bylykbashi në facebook shkruan se nuk ka një model që do të shpëtojë Edi Ramën nga humbja, ndërsa shton se ky i fundit është i gatshëm të sakrifikojë Shqipërinë për të mirën e tij personale.
“Modelet demokratike ekzistojnë, por model që të shpëtoje Edi Ramën nga humbja ne nuk gjejmë dot. Këtë kërkon Edi Rama nga Këshilli Politik dhe për këtë ai është gati të sakrifikojë Shqipërinë.
Modelet t’i kemi thënë që ditën e parë, por kur ti shkelje një marrëveshje për të cilën u investua nga Sekretari i Shtetit i SHBA tek drejtuesit me të lartë të BE, këto as i sheh as i dëgjon.
Këto justifikimet janë njësoj si hapja false e listave,”, shkruan Bylykbashi.
Më herët, përfaqësuesi i mazhorancës në këshill politik, Damian Gjiknuri, në lidhje me modelin për koalicionet ishte shprehur:
“Tre muaj rresht, në çdo komunikim zyrtar, në çdo deklarim publik, në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin.
Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian.
A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve.
Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura. Edhe diçka e fundit, për të mos i besdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona. Bashkëlidhur gjeni pjesë nga prononcimi im i datës 28 Korrik 2020.”



