Anëtarja e Partisë Demokratike, e diplomuar për arkitekturë Barbara Doda, thotë se politikën e ka mësuar në terren nëpërmjet njerëzve.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ajo tha se ka gjëra që i mungojnë në Tiranë, si e lindur dhe e rritur këtu.
Jam lindur dhe rritur këtu në të njëjtën lagje dhe sa herë eci aty, nuk i gjej kujtimet e fëmijërisë. Nuk është vetëm tek ndërtimi, por ky ndërtim nuk ka sjellë zhvillim, janë bërë pa standarde.
Nuk e gjej më fëmijërinë. Shumë pak gjëra gjej të përafërta me ato që mbaj mend.
Lidhur me përfshirjen në politikë, Doda rrëfen se është ndikuar nga prindërit, familjet e të cilëve kanë qenë të persekutuar dhe se është angazhuar qysh në moshën 16-vjeçare.
Ka pasur faza që kam menduar se nuk është e drejtë të angazhohem, por kur pashë pjesëmarrjen e ulët të rinisë në këto zgjedhje, mendova se kam bërë mirë që jam angazhuar shumë herët.
Ne jemi brez shumë cinik, brez që ankohemi dhe nuk votojmë. Në Qendrën e Votimit ku isha unë më ka ardhur vetëm një 18-vjeçare.
Ne jemi brez shumë i pafat se nuk kemi modele, kemi modele autokratë.
Të rinjtë sot nuk kanë justifikim për të mos shkuar për të votuar, sidomos ata në Tiranë.
Unë mendoj që nuk ka një Parti Demokratike pa mendim të lirë dhe njerëz të lirë. Dhe shpesh mendimi im shkon ndryshe.
E vetmja gjë që mendoj se është racionale sot, është se vendit sot i duhet opozitë.
Lidhur me largimet e rinisë nga vendi, deklaroi se personalisht ndihet mirë këtu pranë familjes.
Janë njerëz të lirë, të gjithë kanë të drejtën e tyre për tu larguar, për të studiuar. Kam keqardhje për ata që lënë një jetë të mirë në Shqipëri, për një jetë mediokër.
E kuptoj një shahist që do të iki dhe do të përballet me kompeticione ndërkombëtare, por më vjen keq kur ikin mjekët, ikin arkitektët.



