Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar përmes një deklarate, pas miratimit me konsesus me mazhorancën, të ndryshimeve në Reformën Zgjedhore.
Duke iu përgjigjur zërave kritikë që flasin për pakt me kryeministrin Edi Rama, Berisha e mohon një gjë të tillë.
Ai thotë gjithashtu se nuk ka marrëveshje të opozitës me PS, por vetëm zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe herësin elektoral.

Gjatë dy ditëve të fundit ju keni dëgjuar qindra e qindra herë të shqiptohet dhe lakohet fjala ‘Reformë Zgjedhore’ apo pakt marrëveshje Berisha-Rama etj. Lidhur me këtë zhurmnajë të madhe ju deklaroj sa vijon:
Së pari të gjithë ata që bëjnë fjalë për Reformë Zgjedhore në këtë rast mashtrojnë me qëllim apo janë vetë të mashtruar. Nuk ekziston absolutisht asnjë marrëveshje lidhur me reformën zgjedhore. Ndryshimet e votuara në Parlament në Kodin Zgjedhor nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me Reformën Zgjedhore të rekomanduar nga OSBE ODHIR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme në Shqipëri. Pra nuk është trajtuar asnjë pikë e vetme e rekomandimeve të OSBE ODHIR.
Së dyti dy problemet e trajtuara nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe të votuara mbrëmë në Parlament nuk kanë asnjë lidhje me reformën zgjedhore të rekomanduar nga OSBE ODHIR, por vetëm me zbatimin e 2 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht për:
Votimin e shqiptarëve jashtë shteti, një e drejtë kjo themelore Kushtetuese për çdo shtetas shqiptar. Vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese kishte të bënte me herësin. Kjo Gjykatë ka vendosur që herësi prej 10 mijë votash që duhej thyer për të fituar një vend në Parlament jashtë listës së mbrojtur duhet të ishte në proporcion në mënyrë që lista të ishte më e hapur.
Po theksoj këtu Gjykata nuk vendosi heqjen e herësit, por të themi zvogëlimin dhe zbutjen e tij. Partia Socialiste propozoi që herësi të zbritej në 7 mijë vota kurse PD kërkoi heqjen fare të herësit, duke bërë kështu që vendet në listën e hapur të fitohen nga deputetët që kanë marrë nga qoftë edhe një votë më shumë se sa tjetri që renditet në listë para tij. Mendoj se ky akt është një hap i ri drejt hapjes.
Së fundi, theksoj përsëri se kjo nuk është Reformë Zgjedhore dhe se nuk trajton asnjë nga problemet madhore të zgjedhjeve në Shqipëri si: blerjen e votës, makinerinë elektorale të partisë shtet dhe përdorimin e të gjithë resurseve të saj njerëzore dhe logjistike, financiare për kontrollin e vullnetit të zgjedhësve, përdorimin për këtë qëllim të ushtrisë elektorale të patronazhistëve, manipulimin masiv të listave dhe përdorimin e bandave dhe vrasësve serialë për të diktuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka rotacion me votë dhe nuk mund të ketë. Ndaj dhe të bashkojmë forcat të shkojmë drejt qeverise teknike si rruga e vetme për të bërë Reformën e vërtetë Zgjedhore, garantuar ndryshimin e pushtetit, fitoren e opozitës.



