
Partia Demokratike ka vijuar me akuza të tjera në drejtim të qeverisë për projektin e shumëdebatuar të Unazës së Re, projekt i cili do të shemb 317 objekte dhe so të nxjerrë nga shtëpitë e tyre qindra qytetarë të zonës së Astirit.
Përmes ekspertit ligjor Gazmed Bardhi, PD ka hedhur akuza në lidhje me mungesën e një sërë dokumentash dhe aktesh ligjore që sipas tyre nuk janë kryer nga qeveria në lidhje me projektin e Unazës.
Bardhi u shpreh se rruga në fjalë do të kryhet pa asnjë lloj studimi fizibiliteti, apo studime të tjera si ato të impaktit në mjedis e vlerësimet për kostot e dëmeve të shkaktuara.
PD gjithashtu ka akuzuar kryeministrin se me projektin po grabiten nga paratë e shqiptarëve rreth 40 mln euro me një rrugë që është sponsorizuar dhe tenderuar në mënyrë anti-ligjore.
“VKM nr. 628 përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, ku më kryesori është studimi i fizibilitetit, ai që orienton qeverinë, nëse një projekt është i dobishëm dhe nëse kosto justifikon përfitimin. Në nxitim për të grabitur 40 milionë euro, qeveria nuk ka zbatuar VKM nr 628 për të bërë analizën e kostos dhe përfitimeve, ku përfshihet si detyrim ligjor edhe vlera e shpronësimeve. Për shkak të shkeljes së ligjit, sot, askush nuk e di sa kushton realisht projekti i Unazës së Re. 40 milionë euro është vetëm vlera që Edi Rama ka vendosur të ndajë me 3 kompani të paracaktuara për ndërtimin e 2.2 kilometrave rrugë”, tha Bardhi.

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar i cili përmes një deklarate për mediat shprehet se sipas ligjit mbi projektin në fjalë nuk ka nevojë të kryhet studim fizibiliteti. Ndërsa në lidhje me lejet e tjera ARRSH shprehet se ato janë dhënë me kohë.
“Nëse do kishte pyetur Kryetarin e vet, z.Bardhi do ta kishte mësuar se në rastin e rehabilitimit të Unazës së Madhe në segmentin Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndjekur të njëjtën praktikë ligjore që ka ndjekur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për segmentet e tjera të unazës në kohën kur z.Basha ishte Ministër i Punëve Publike e Transportit apo Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Z.Bardhi do ta kishte mësuar se edhe studimet e fizibilitetit për veprat publike nuk bëhen për çdo segment që zbatohet por bëhen në fillim për të gjithë objektin. Rrjedhimisht, ai do duhet ta kishte pyetur z.Basha nëse kur ka filluar zbatimi i investimit për segmentet e mëparshme të Unazës, a është kryer një studim fizibiliteti?", thuhet në deklaratëne ARRSH
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se një vepër si mbikalimi i Kamzës, i ndërtuar në kohën kur PD qeveriste vendin ka filluar punimet pa asnjë leje mjedisore dhe as ndërtimi. Sipas ARRSH, fillimi i punimeve për këtë vepër ishte 22 Qershori 2007 por qeveria e partisë së Bardhi ka lëshuar Lejen Mjedisore vetëm në 1 muaj para përfundimit të punimeve, në 05.05.2008.
ARRSH thekson se fondi i shpronësimit nuk parashikohet në projekt-preventivin e objektit por del pas kryerjes së vlerësimeve përmes një VKM-je të veçantë. "Punimet civile janë të matshme dhe çertifikohen gjatë e në përfundim të tyre nga inxhinieri (supervizori)", thuhet në deklaratë.



