
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi ka ndjekur nga afër procesin e rinumërimit të votave në këtë bashki pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Raportohet se numërimi i 18 kutive të Kuçovës është shoqëruar me incidente, teksa Lefter Maliqi ofendoi përfaqësuesin e KQZ, Ylli Merkajn, duke i thënë: Rrugaç, hajdut. Pas daljes nga salla ku po kryhet numërimi, Maliqi tha për mediat se nuk kanë informacion sesa fletë votimi janë, si dhe shtoi se brenda sallës ngriti zërin pasi pa parregullsi. Maliqi deklaroi se ka marrë si provë gjatë mbikëqyrjes së procesit, pamjet e kryetarit të KZAZ që ka qenë i pranishëm në sallë pa autorizimin e Kolegjit. Ai pranoi se filmoi me telefon, por tha se i duhej për provë. 'Para këtyre 18 kutive kishim qenë me 100 vota para fitues. Ne dyshojmë që kanë ndërhyrë në këto kuti. Kërkesa jonë është që pas këtyre 18 kutive do kërkojmë dhe hapjen e 47 kutive të tjera dhe pavlefshmërinë totale për shkak se janë gjetur shumë shkelje. Është krim shtetëror, elektoral. Se ca ka në këto 18 kuti nuk e di, sot filloi seanca. Ata marrin dokumentacionin por e kanë bosh për këto 18 kuti. Sekretari ka pasur probleme me avokatët e mi. Ne nuk e dimë sesa fletë votimi janë. Unë tregoj muskujt e trurit dhe kundër krimit që është bërë. Unë kam qenë gjithmonë i pastër, nuk kam pasur asnjë biznes. Një gjë ta dini Kuçova është e majtë, unë kam mbështetje të majtë dhe të djathtë. Unë e ngrita zërin, unë filmova që nesër ta kisha si provë. Këtu kanë ardhur vëzhgues të tjerë, ai nuk është vëzhgues'.



