
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka dalë sërish kundër qëndrimit të Bashkimit Evropian, që kërkoi edhe sot heqjen e taksës për mallrat nga Serbia.
Kryeministri Rama e quan një klithëm që duhet dëgjuar taksën 10 % të Kosovës ndaj produkteve serbe.
"Komisioneri Hahn ka të drejtë! Taksa100% mbi produktet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është obstruktive, po çfarë ka fituar deri më tash Kosova me qasjen e saj konstruktive? Hiç % të asaj që ka merituar! E pra, ajo nuk është një taksë që duhet gjykuar, po një klithëm që duhet dëgjuar...", shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
Hahn tha se heqja e barrierave tregtare është një nga qëllimet e BE-së. Hahn lavdëroi angazhimin e Kosovës në këtë drejtim ndër vite, por jo edhe vendosjen e taksës doganore.
Pas takimit me eurokomisionerin Johannes Hahn, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se, taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të anulohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.



