
Ditën e sotme në KAS do të hidhet shorti për të caktuar relatorin për ankimimin e Partisë Demokratike.
Kjo e fundit ankimoi në KAS vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili vendosi përfundimisht që PD të mos futet në zgjedhje.
Kryekomisioneri njoftoi se kërkesa e PD-së së Alibeajt për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet për shkak të mungesës së dokumentacionit.
“Nga momenti që ne kërkuam të vihet në dispozicion një dokumentacion i plotësuar nga ana e PD-së për të përmbushur të gjitha kushtet si subjekt zgjedhor dhe meqenëse nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatë si seancën e shkuar.
Meqenëse nuk kemi kërkesë tjetër shtesë, unë mendoj që të jap vlerësimin tim mbi kërkesën për regjistrimin e PD-së për zgjedhjet e 14 majit 2023. Kjo çështje ka patur një shqyrtim administrativ.
Vetëm nga aktet dokumentare, është e qartë për këdo që i ka njohur këto dokumente se çështja e përfaqësimit ligjor ka qenë në diskutim. Këtu nuk marr në konsideratë konfrontimin tuaj në këtë çështje, pasi nuk është në interesin e KQZ-së.



