Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, janë nisur sot drejt Hagës nga zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë ku po mbaheshin prej të enjtes, raportojnë mediat në Kosovë.
ZPS-ja të enjten ka njoftuar se është ndërmarrë aksion i gjerë në Kosovë, ku janë kryer arrestime e bastisje në disa shtëpi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Isni Kilaj ka pasur aktakuzë të ngrirë, mirëpo ajo është ndryshuar dhe ai llogaritet si i dyshuar.
Te shtëpitë e Smakajt dhe Fazliut, ZPS-ja pati kryer bastisje edhe vitin e kaluar.
E që nga orët e hershme të mëngjesit të së enjtes e deri në mbrëmje, hetuesit e ZPS-së kanë qëndruar edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit në Prishtinë, duke kërkuar prova që mund t’i ndihmojnë në hetimet e tyre lidhur me frikësimin e dëshmitarëve apo shpalosjen e informacioneve të dëshmitarëve të mbrojtur.
ZPS-ja ka thënë se operacionet kanë të bëjnë me veprat kundër administrimit të drejtësisë, pa dhënë detaje shtesë.



