Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ftoi nga MCN Live partitë e reja që të bashkëpunojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Megjithatë Shehi theksoi se bashkëpunimi do varet nga Kodi Zgjedhor dhe qëndrimet politike.

"Unë figurave të reja jam munduar gjithmonë t’u jap një mbështetje. Mjafton kurajoja për të dalë në fushë. Ai që zbret në fushë, unë e quaj pozitive. Unë edhe i ftoj të bashkëpunojmë. Nëse do jenë 10 parti, edhe elektorati hutohet. Po të grupohemi, të bëhemi 2 grupe, makar 3, mund të bëhet më kollaj identifikimi politik. Ata kanë dy avantazhe, një që janë të rinj, sjellin një frymë të re, dhe tjetra s’kanë ngarkesën që kanë të vjetrit, që kanë edhe procese gjyqësore. Ka shumë rrugë bashkëpunimi, por duhet të shohim njëherë Kodin Zgjedhor, që do mbyllet në këtë verë. Bashkëpunimi varet nga Kodi Zgjedhor dhe qëndrimi politik. Me Rithemelimin na ndajnë ca gjëra themelore politike. Për mua Berishën duhet ta lirojmë nga ajo punë, që të mos e mitizojmë, të rikthehej në sallë. S’ka pse rri për një çështje administrative në shtëpi, të vijë atje në Parlament. Siç kam menduar që vula i takon Berishës, se janë shumica. Por s’i takon e drejta të qeverisë gjithë opozitën shqiptare për 30 apo 40 vjet. S’i ngre dot më ky ato mijëra votues. Ata që i ka tifoz i ka. Për të fituar kundër Ramës duhen edhe 200 mijë vota të tjera. Shpresa e vetme opozitare është krijimi i njësive të reja politike, që s’janë vetëm Berisha. Po ata që s’e kanë qejf Berishën ku do shkojnë ato. Gjysma e PD mendojnë si unë por kanë frikë ta thonë”.



